Sokoli ne Hys

 Bylbyl Sokoli edhe zyrtarisht është trajner i Hysit. Ai të premten, së bashku me kryesinë e skuadrës llapjane, ka bërë zyrtarizimin e marrëveshjes, që është e vlefshme për një vit, por me mundësi të vazhdimit. Sokoli ka filluar të mendojë menjëherë për skuadrën e re të tij. Ai ka thënë se do ta freskojë ekipin me 4 futbollistë të rinj

Pas bisedave të njëpasnjëshme të kryesisë së Hysit me trajnerin Bylbyl Sokoli, është arritur përfundimisht edhe marrëveshja zyrtare, që ky i fundit ta drejtojë skuadrën llapjane edicionin e ardhshëm të Superligës. Në një konferencë për media, është bërë edhe prezantimi i trajnerit Sokoli nga ana e kryesisë së klubit. Ndërkohë, kontrata e tij do të jetë e vlefshme për një vit, me mundësi vazhdimi. Marrëveshjen e Sokolit me Hysin e ka përshëndetur nënkryetari i këtij klubi, Afrim Macula. “Gjatë edicionit të kaluar, kemi pasur probleme të shumta me disa trajnerë, të cilët nuk kanë arritur të adaptohen te Hysi, por mendoj se me ardhjen e Sokolit, gjithçka do të ecë mbarë”, ka deklaruar Macula. Ai më tej ka shtuar se Sokoli ka qenë zgjedhja më e mirë e mundshme, sa i përket një trajneri profesionist. “Sokoli do t’i ketë të gjitha kompetencat e një trajneri në dorën e tij. Me ardhjen e tij, do të rriten edhe aspiratat e klubit”, pohoi Macula.

 

4 përforcime

 

Nga ana tjetër, edhe Sokoli ka theksuar se do të mundohet ta organizojë klubin si është më së miri. Me të marrë detyrën e re, ai ka filluar të mendojë për një organizim sa më të mirë te skuadra e Hysit. Ai ka deklaruar se në plan të parë ka freskimin e skuadrës me 4 futbollistë. “Unë me Hysin kam nënshkruar kontratë 1-vjeçare me mundësi vazhdimi, varësisht prej ambicieve të klubit. Gjatë kësaj periudhe, do të mundohem që të organizohemi si është më së miri. Ndërkohë, në plan të parë kam edhe freskimin e skuadrës me 4 futbollistë të rinj. Ne jemi duke biseduar me ta, por emrat nuk mund t’i bëjmë publikë, për arsye se mund t’u krijojmë ndonjë problem atyre”, ka thënë Sokoli. Ai mes tjerash ka deklaruar se nuk do ta lirojë asnjë futbollist, që aktualisht luan te Hysi, vetëm nëse dikush nga ta dëshiron të ndahet me skuadrën. “Përveç përforcimeve të reja, ne nuk e kemi ndërmend ta lirojmë asnjë futbollist nga klubi. Ata të gjithë janë të nevojshëm dhe mund të japin kontribut të mjaftueshëm. Megjithatë, nëse ndonjërit nga ta i ka përfunduar kontrata dhe dëshiron të largohet, atëherë ne nuk mund ta ndalim”, theksoi Sokoli. Ai grumbullimin e parë me futbollistët do ta mbajë më 1 korrik, ditën kur edhe do të fillojnë përgatitjet e Hysit për edicionin e ri të garave. Ndërkohë, i pyetur për mundësinë e shkuarjes jashtë vendit për përgatitje shtesë, Sokoli ka thënë se do të kërkojë nga klubi që të mos bëhen fare shpenzime të tilla, por ato mjete të hyjnë në ndërtimin e infrastrukturës të kompleksit sportiv në Merdar.

 

Zgjodhëm më të mirin

 

Edhe sekretari i Hysit, Agim Luta, ka deklaruar se kanë bërë një zgjedhje jashtëzakonisht të mirë me rastin e zyrtarizimit të marrëveshjes me Sokolin. Ai ka deklaruar se trajneri i ri i Hysit, është më i miri dhe është një privilegj i madh që nga tash e tutje ai do ta drejtojë pikërisht skuadrën e Hysit. “Kemi bërë një hapë shumë të rëndësishëm. Marrëveshja me Sokolin është shumë e rëndësishme për ne, pasi bëhet fjalë për trajnerin më të mirë në Kosovës sipas meje”, ka përfunduar Luta. Hysi këtë edicion e përfundoi në pozitën e 6 në renditje me 47 pikë të tubuara dhe ishte njëri ndër favoritët kryesorë, deri në fund të Kampionatit për titull të kampionit